UBT News

​Kurti: KEK-u drejt përforcimit e diversifikimit të burimeve të energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, prej ku ka dhënë zotimin për të punuar bashkë edhe më shumë në vitin 2023.

“Si Qeveri po ndërmarrim të gjitha hapat në dispozicion për të siguruar ulje të konsumit të energjisë, duke ndihmuar kështu buxhetin e familjeve e buxhetin e shtetit në kohë krizë”, tha Kurti.

Ai ka veçuar sidomos subvencionimet për familjet që të blejnë pajisje efiçente për ngrohje dhe për ato që kursejnë energjinë elektrike.

“Në mes të kësaj sfide që i ka shkundur themelet e njërit prej sektorëve më të lëna pas, KEK-u, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ka arritur që të përmbyllë projekte, të cilat do të sigurojnë vazhdimin e funksionimit të Korporatës dhe përforcimin e kapaciteteve të saj në të ardhmen”, tha ai.

Kurti theksoi se Qeveria ka siguruar grante dhe kredi, të cilat do të mundësojnë vënien në jetë të një projekti solar me kapacitet 100 megavat, që është investimi i parë publik në kapacitete gjeneruese që nga fillimi i operimit të bllokut B2 më se 4 dekada më parë.

Ai po ashtu tha se ky projekt është pjesë e angazhimit gjithëpërfshirës të Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, ku hyn edhe projekti “Solar 4 Kosova”, i cili parasheh zgjerimin e ngrohtores së Termokosit përmes energjisë solare.

“Projektet e nisura në KEK shënojnë hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, ku roli i KEK-ut vazhdon të jetë i domosdoshëm dhe përputhet me shumëllojshmërinë e kërkesave të një sektori modern edhe të qëndrueshëm”, u shpreh Kurti.

Para përmbylljes së vitit, KEK-u tanimë i ka prodhuar 5,152 GWh orë, e nga të cilat 581 GWh orë janë eksportuar, i bie rreth 11.2 për qind të prodhimtarisë së gjithëmbarshme ka shkuar për eksport. Për ta arritur këtë nivel të prodhimit janë nxjerrë rreth 7.5 milionë tonë të qymyrit nga 8 milionë sa kanë qenë të planifikuar për vitin 2022.

Exit mobile version