UBT News

​Kurti: Ka dallime në emërtim për marrëveshjen për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është fajtore për vonesat në zbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen për energjinë në veri.

Ai ka nënvizuar se pavarësisht kësaj, Qeveria e Kosovës nuk do të paguajë më rrymën në veri, derisa theksoi se po presin reagimin e Brukselit për këto vonesa.

Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori dhe fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit, ashtu siç ishin paraparë oraret. Pra kishim një kalendar të limiteve kohore që nuk matet as me muaj dhe javë, por me ditë… Nuk mund të pritet që Qeveria e Republikës së Kosovë do të bëjë subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri dhe të papaguar atje në dimrin që vjen. Me çmimet që ishin në dhjetor dhe janar të vitit të kaluar, të gjithë e kanë të qartë se nuk mund të kemi përsëritje të së njëjtës edhe dimrin që vjen”, tha ai.

Kreu qeveritar në konferencë për medie, pas mbledhjes së ekzekutivit, tha se Vuçiq po i ikë bisedimeve për dialogun, pasi po e vonon qëllimshëm edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë për të mos vendosur sanksione Rusisë.

Arsyeja pse nuk ka takime nuk do të duhej të kërkohej në Prishtinë, por Beograd. Besoj se faktori kryesor pse ata po iu ikin bisedimeve për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse bisedimet nuk janë për Kosovën, janë për raportet, është se po e vonojnë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, sepse nuk duan t’i vënë sanksione Rusisë. Pra ky është leximi im i situatës aktuale”, tha ai.

Kurti tregoi edhe dallimin kryesor në arritjen e marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Besoj se është pak çështje perceptimi sa jemi afër ose larg. Është e vërtetë se nuk jemi shumë larg, mirëpo të njëjtën kohë mbase është një pak e nxituar nëse themi se jemi tepër afër. Pasi përvoja e hidhur që kemi me Beogradin zyrtar na bënë të kujdesshëm që të kemi shumë shpresë. Sidoqoftë janë disa çështje që kanë ngelur aty pa dakordim. Unë me këtë rast do të kisha theksuar një dallim kryesor që ekziston, sa i pëket emërtimit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Me fjalë të tjera, Begradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ndërkohë që ne insistojmë që kjo të theksohet se kjo është bërë me forcë me dhunë”, theksoi Kurti.

I pyetur për njohjen e Greqisë, Kurti tha se ka avancim në diskurs, porse shtoi nuk mund ta thotë se kur do të ndodh kjo.

Unë besoj se Greqia ka avancuar në diskurs, por sa jemi afër ditës kur edhe Greqia do t’i bashkëngjitet shumicës së vendeve të BE-së dhe NATO-s për të njohur Kosovën nuk mund të themi tani. Në periudhën sa jam unë kryeministër, kemi pas në vizitë, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, zotëri Dendias, i cili është një mik i imi dhe i cili në 1 vit e gjysmë e ka vizituar tri herë Kosovën dhe do të vije sërish. Unë besoj se është ky ministër i cili në aspektin legal dhe juridik e ka hapur shtegun e ndryshimit të qëndrimit. Ai ka thënë se Kosova dhe Veriu i Qipros nuk janë situata analoge” , shtoi ai.

Sa i përket sigurisë në veri, Kurti tha se ata që dëshirojnë destabilizim, nuk dëshirojnë sundim të ligjit.

Exit mobile version