Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, më 2 maj. Ai nënvizoi nevojën që marrëveshja bazë me Serbinë, por edhe aneksi i zbatimit të zbatohen pa vonesa dhe në plotni.
“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit dhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa dhe pa plotni”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore, Kurti tha se fushata e egër e shantazhit dhe kërcënimit të Beogradit ndikoi në daljen e ulët në votime të qytetarëve në veri.
“Fushata e egër e Beogradit zyrtar, e cila u ekzekutua edhe nga elemente kriminale në teren në veri të Kosovës, padyshim se ishte fushatë e shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit, e cila për pasojë pati daljen e ulët e qytetarëve. Mua më vjen keq që parti të caktuara politike atje kanë ftuar për bojkot, në fakt thirrja nuk është e tyre, thirrja është e Beogradit, mirëpo të gjithë duhet të kenë parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria njëmend garantojnë liri dhe të drejta, por të njëjtën kohë sjellin përgjegjësi dhe obligime”, u shpreh Kurti.
Megjithatë, Kurti iu uroi fitoren kandidatëve për kryetar të komunave veriore, derisa tha se pret konsolidimin e shpejtë të institucioneve komunale atje.
“I kemi katër kryetar të rinj tani, unë iu uroj fitoren atyre dhe dëshirojë punë të mbarë. Të njëjtën kohë zotohem se qeveria do t’i mbështesë dhe ndihmojë. Janë krijuar kushtet që shërbimet publike, funksionimi i sistemit dhe qëndrueshmëria e institucioneve të rezultojë për mirëqenie për gjithë qytetarët pa dallim”, nënvizoi ai.
Në anën tjetër, Kurti theksoi se nuk është penduar që është kryeministër, derisa u pyet nëse është pishman që e ka këtë pozitë dhe jo atë të kryeprokurorit, duke iu referuar kritikave të Kurtit për sistemin e drejtësisë.
“Unë nuk jam penduar që jam kryeministër. Besoj se njësojë e kanë ndjenjën të gjithë kolegët e mi nga qeveria dhe shumica në Kuvendin e Republikës dhe pa dyshim edhe shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, është evidente që me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ka ndryshuar legjislativi dhe ekzekutivi. Ka filluar transformimi i madh demokratik dhe zhvillimor i vendit tonë. Por, ajo çka është e domosdoshme është që një sistem i drejtësisë, një prokurori aktive dhe gjyqësor efikas, që të gjithë këta të jenë të mençur dhe të ditur. Po ashtu, me integritet profesional dhe personal, në mënyrë që mund të sjellin drejtësi për qytetarët e Kosovës. Kur e them drejtësi, mendoj edhe për viktimat e luftës për shkak të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë, por mendoj edhe për viktimat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në periudhën e paqes”, përfundoi Kurti.
Këto komente Kurti i bëri pas pjesëmarrjes në nënshkrimin e disa marrëveshjeve të mirëkuptimit ndërmjet Universitetit të Iowa-s dhe disa universiteteve publike në Kosovë për nisjen e aktivitetit të mbështetur nga USAID-i të partneritetit me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë.