Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti ka thënë të premten se qëllimi i vizitës dyjavore ka qenë siguria dhe investimet në Kosovë. Shefi i ekzekutivit qëndroi jashtë vendit 20 ditë pasi u ndal edhe në Zvicër pas vizitën në Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri Kurti duke iu përgjigjur kritikave që nuk takoi asnjë zyrtar të lartë në Amerikë, tha se ka qëndruar në Shtëpinë e Bardhë dhe ka takuar këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.
“Dy qëllime kryesore kanë qenë të kësaj vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e para është investimet në Kosovë, e dyta është siguria për Kosovën. Shumicën dërmuese të takimeve i kam pasur me kompanitë e ndryshme, të cilët i kam njoftuar për progresin në Kosovë për shanset në investime dhe kam kërkuar kontributin e tyre përmes përfitimeve të dyanshme dhe tjetra ka qenë siguria për Kosovën në dritën e problemeve të cilat i kemi në Ballkan, e këto probleme kanë një burim kryesor e që është Beogradi zyrtar dhe së fundmi edhe lidhja e ngushtë e tyre me një shtet që ndodhet në luftë si puna e Federatës Ruse, dhe agresionit të saj të pajustifikuar, të paligjshëm, të paprovokuar në Ukrainë”, theksoi Kurti.
Në një prononcim të shkurtër për media, kryeministri Kurti tha se në Amerikë ka kërkuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe në NATO që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim Këshillin e Evropës ku tashmë kemi aplikuar, aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit, përveç shteteve anëtare, e në mesin e të cilave duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithashtu kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Kurti foli edhe për kritikat nga opozita dhe shoqëria civile që nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë duke thënë se kjo nuk është e vërtetë.
“Që do të qëndroj gjatë unë e kam paralajmëruar me kohë nuk ka të befasuar, përveç atyre që nuk i ndjekin zhvillimet politike. Kam thënë se sa pyesni se kur po shkon në Amerikë, së shpejti do të pyesni se kur po kthehesh. Dhe saktësisht ashtu ka ndodhur dhe së dyti unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë, dhe takimi që është mbajtur aty ka qenë me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, që është pikërisht takim në funksion të një qëllimi tjetër përveç investimeve në Kosovë, ajo është siguria për Kosovën. Sullivan është një person i informuar”, tha ai.
Këto komente Kurti i bëri pas hapjes së Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, i cili tha se Beogradi duhet të ndryshojë.
“Është përmendur edhe dialogu Kosovë-Serbi me ç’rast qëndrimi dhe qëllimi është i palëkundshëm. Pra, Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me ç’rast në qendër duhet të jetë njohja reciproke”, theksoi Kurti.