Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka organizuar sot një pritje me rastin e 23-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Ai me këtë rast ka përmendur miken e madhe të shqiptarëve, ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë mbrëmë në moshën 84-vjeçare.
“Çdo 24 mars kur shënojmë ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviq-it për të ndalur gjenocidin në Kosovë kemi folur edhe për zonjën sekretare Madeleine Albright, por nuk e kemi menduar se duhet të flasim për të, pa të. Mbrëmë ajo ndërroi jetë dhe dita e nesërme nga presidentja Vjosa Osmani është shpallur ditë zie në Kosovë. Ajo në politikë ishte historiane, në histori ishte diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane, kombinim i përsosur për një grua të jashtëzakonshme… Pasi shërbeu ambasadore në OKB dhe ishte dëshmitare e gjenocidit në Ruandë dhe Bosnje, ajo e kuptoi koston e mosveprimit dhe u bë kampione e bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë. Jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje edhe ndaj të gjitha vendeve pjesëmarrëse që ishin pjesë e operacionit të NATO-s, ku për 78 ditë bombarduan caqet ushtarake serbe.
“U shprehim mirënjohjen dhe respektin tonë të thellë të gjitha vendeve demokratike, të cilat patën vullnetin dhe kurajën për të folur e vepruar njëzëri në mbrojtje të së drejtës tonë për jetë, shtet e prosperitet. Falënderojmë gjithë ato gra e burra, djem e vajza, pjesëtarë të NATO-s që për 78 ditë me avionët e tyre luftarakë e mbajtën gjallë shpresën e shqiptarëve të mbetur në Kosovë për shpëtim e çlirim dhe shqiptarëve të dëbuar nga Kosova për kthimin e tyre në atdheun e tyre në Kosovë e në liri”, tha Kurti.
Ai në 23-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s nuk ka lënë pa e përmendur edhe luftën në Ukrainë dhe solidarizimin e popullit të Kosovës me popullin ukrainas në luftën e tyre çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus.
Ndryshe, në pritjen e organizuar me këtë rast morën pjesë ambasadorë të akredituar në vendin tonë, ministra, deputetë.