Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, u takuan në Munich me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Kiril Petkov.
Kryeministri Kurti e përgëzoi kryeministrin Petkov për marrjen e detyrës dhe i bëri ftesë që të vizitojë Kosovën. Biseduan për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, sidomos në fushën e sigurisë dhe të diversifikimit të energjisë.
Kryeministria, përmes një komunikate për media, citon Kurtin te ketë thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka qasje proaktive në bashkëpunimin rajonal dhe se e përkrah plotësisht Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, si platforma e vetme që vepron me rregulla të Bashkimit Evropian dhe sipas agjendës së Procesit të Berlinit dhe të BE-së.
“U bisedua për menaxhimin e pandemisë dhe kryeministri Kurti tha se nga vendi i fundit në rajon për nga përqindja e popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Kosova sot renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.
Kurti thuhet se e njoftoi kryeministrin Petkov për progresin në ekonomi, në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe në fusha të tjera gjatë gati një vit qeverisje.
Kryeministri bullgar e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë së tij për të shtuar bashkëpunimin.