UBT News

​Kurti: Edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e saj.

Pas anëtarësimit të Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ICMP, Kurti ka thënë se kjo është edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës”, ka shkruar Kurti.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, kanë dorëzuar instrumentet e aderimit të Kosovës në ICMP, që është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar për punuar më çështjen e personave të zhdukur.

“Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Ky anëtarësim është edhe një iniciativë e konkretizuar, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Kurti në një postim në Facebook.

Exit mobile version