Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se zyrtarët serbë që dhanë dorëheqje nuk mund të pasohen me thirrje politike për kthim, por me aplikime profesionale.
Kurti gjatë fjalimit të tij në interpelancën e thirrur nga AAK-ja, tha se dorëheqjet e zyrtarëve policorë serbë nuk është vendim as i tij, e as i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por kanë qenë dorëheqje politike për arsye të paqena.
“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike, për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale e individuale, e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre, e njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht secilin prej tyre e tekstin identik të dorëheqjes. Ky është vendim politik. Tash unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktis institucionet dhe kjo është thirrja ime e vazhdueshme dhe do të jetë e tillë edhe në ditët në vijim. Institucionet nuk janë të qeverisë dhe nuk janë vetëm të një komuniteti, por janë të të gjithë qytetarëve të Republikës. Mirëpo, aty ku ka vakuum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune. Natyrisht, se të gjithë janë të mirëseardhur, por këtë nuk e vendos as kryeministri, as ministri i Brendshëm. Pra, kjo rregullohet sipas procedurave të brendshme dhe rregulloreve të policisë që vlen për të gjithë zyrtarët pa asnjë dallim e përkundër kësaj situate ne do të angazhohemi vazhdimisht që Policia e Kosovës të jetë në gjendje maksimale të gatishmërisë”, tha Kurti.
Ai u shpreh se komunikimi me serbë lokalë po ndodh, ashtu siç po ndodhin edhe investimet pas 22 vjetësh në veri të Kosovës.
“Komunikimi me qytetarët serbë lokalë është duke ndodhur e njëkohësisht janë duke ndodhur edhe investime. Ka pasur në vazhdimësi takime me organizata joqeveritare serbe për t’i adresuar brengat dhe nevojat e tyre. Themi se ka edhe komunikim dhe investim, dhe pas 22 vjetësh është investuar në veri në infrastrukturë që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve atje. Për herë të parë po shtrohen rrugët që lidhin fshatrat në veri të vendit, në Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Dedin, Batahir dhe Manxher, pra qytetarëve iu ofrohet qasje më e shpejtë dhe më e lehtë e qarkullimit, ndërkaq gjatë javëve në vazhdimin do ta mbështesim edhe Telekomin që ta zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore të vendit me vlerë prej 1 milionë eurove. Pra, rend e ligj, investim dhe zhvillim kjo është krejt çka iu duhet të gjithëve e ne jemi të angazhuar maksimalisht që me përkushtim të kryejmë këtë detyrë e përgjegjësi që e na e kanë besuar qytetarët”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë, për shkak të angazhimit të zyrtarëve tanë policorë. Sipas tij, për 1800 qortimet e lëshuara për targat ilegale nuk kanë pranuar asnjë vërejtje apo ankesë.
“Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë, për shkak të angazhimit të zyrtarëve tanë policorë falënderohen çdo ditë nga qytetarët në veri për punën dhe angazhimin e ofrimit të sigurisë për ta. Dëshmia se serbët lokalë nuk kanë asnjë problem me ne dhe në institucionet tona është edhe procesi i pranimit të qortimeve nga ana e tyre për përdorimin e targave ilegale, 1800 qortime fiks janë shpërndarë deri në mëngjesin e datës 24 nëntor dhe nuk është shënuar asnjë ankesë apo vërejte apo incident gjatë shpërndarjes së tyre në pika kufitare apo komunikacion, ndërsa procesi i regjistrimit e kemi parë që ka vijuar me sulme dhe kërcënime ndaj qytetarëve që janë pajisur me targa RKS”, tha ai.
Ai tha se pas arritjes së dakordimit për targat më 23 nëntor në Bruksel, i takon propozuesve të planit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermani që në një afat sa më të shpejtë të arrihet në një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.
“Tani jemi në situatë tjetër. Kemi bërë pezullim të veprimeve për t’i dhënë hapësirë marrëveshjes sipas propozimit evropian apo franko-gjerman, të cilën qysh në fillim e kemi quajtur bazë të mirë për diskutim, sepse është e bazuar mbi vlera jo përbrenda asaj ideologjisë së zgjidhjes unike të problemeve të veçanta me pafund hollësi që e bën secilin ta humbi interesim për të mandej. Tani i takon sponsoruesve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrijë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve. Dialogu me Serbinë është ndër temat kapitale në të cilat synojmë konsensus politik e shoqëror. Në këtë drejtim unë kam ftuar vazhdimisht krerët e subjekteve politike për konsultim dhe bashkërendim”, tha ai.
Kryeministri Kurti në këtë interpelancë u shpreh se Kosova ka një qeveri, e cila nuk është e varur nga votat e Listës Serbe.
“Sikur të ishim në qeveritë e kaluara ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe me siguri që do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë, por ja që kjo nuk është e mundur tash. Reciprociteti me targa dhe letërnjoftime do të ishte motiv i mjaftueshëm për ata që të provojnë ta rrëzojnë qeverinë, por ka ndodhur ndryshimi i madh dhe besoj që gjithë duhet të gëzohemi që Republika e Kosovës ka një Qeveri e cila nuk varet për mazhorancën nga votat e Listës Serbe. Pavarësia nga Serbia është edhe pavarësi nga strukturat ilegale dhe ndikimin e tyre destruktiv në politikë që e kanë prej se ekzistojnë. Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës nuk është diçka e jashtëzakonshme është obligim i yni kushtetues dhe ligjor”, tha Kurti.