Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, partia e të cilit ka dalë fituese nga zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se nuk do të kenë nevojë për kompromise me ata që ai i quajti regjim i vjetër, për të formuar qeverinë e re.
Sipas Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me iniciativën e Vjosa Osmanit do të kenë afër 60 deputetë dhe me përkrahjen e disa deputetëve egjiptian dhe boshnjakë do të kalojnë numrin 61. Kurti ka folur para gazetarëve në Tiranë, në kuadër të vizitës së tij treditore të cilën po e realizon në mbështetje të kandidatëve që i përkrah për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Kurti është shprehur i bindur se do të arrijë formimin e institucioneve pa pasur nevojë për koalicione me partitë që ishin më herët në pushtet.
“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve, me siguri do të kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqi, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjera, na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61, nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e do të renë, populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend të ja shkelim vullneti ne të ja devijojmë dëshirën”, tha ai.
Kur u pyet për çështjen e presidentit, Kurti tha se nuk ka pasur ndonjë takim me Vjosa Osmanin e Murat Jasharit dhe as ndonjë kompromis në këtë çështje.
“Sa i përket çështjes së një kompromisi të aluduar me zonjën Osmani dhe zotëri Muratin, nuk ka pasur një takim të tillë, ne e kemi bërë koalicionin parazgjedhor prandaj zgjedhjet ishin referendum i cili u fitua sepse populli nuk bën kompromise por dëshiron ndryshim që do të sjellë në Kosovë daljen nga pandemia Covid-19, daljen nga varfëria, sidomos ekstreme dhe zbutjen e papunësisë enorme e cila është e strukturore edhe ciklike”, tha ai.
Në Tiranë Kurti ka thënë se menjëherë pas formimit të qeverisë do të fillojnë bashkëpunimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe se do t’i trajnojnë me prioritet marrëveshjet e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, për çka tha se duhet të ketë zbatim real të tyre.
“Do të kem marrëdhëniet më të mira që i ka pasur ndonjë kryeministër me Tiranën zyrtare në Kosovën e pasluftës por mbase jo vetëm aq, andaj do të zhvilloj kontakte e takime, do të takoj edhe këtu në tiranë drejtues shtetëror”, tha Kurti.
Gjatë vizitës së tij tre ditore në Shqipëri, në mbështetje të tre kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e Shqipërisë, Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për përparim sepse kanë ngelur vendet më të prapambetura në Evropë.
Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për ndryshime dhe përfaqësues të popullit të përgjegjshëm, që sipas tij të tillë janë tre kandidatët që Lëvizja Vetëvendosje po i mbështet për zgjedhjet në Shqipëri.
“Ne mbështesim kandidatët e pavarur sepse ka nevojë prej një fushe të qytetarit të pavarur të dikujt i cili nuk është ndikuar dhe nuk është kushtëzuar t’i ipet mundësia qytetarit të Republikës në Shqipëri për të zgjedhur përfaqësues të rijnë. Andaj ne nuk jemi të preokupuar me aleanca e partneritete në këtë fazë. Qarku i Tiranës duhet të votojë Boiken Abazin, Qarku i Lezhës duhet të votojë Ilaz Shehun e Qarku i Gjirokastrës duhet të votojë Kreshnik Merxhanin, e unë do të vijë të votojë më 25 prill”, tha Kurti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dje ka qëndruar në Lezhë, ndërsa pas Tiranës që vizitoi sot, do të qëndrojë nesër në Gjirokastër.