Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve.
Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.
Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Në një intervistë për një medium kroat, Kurti ka deklaruar se pret të sheh se çfarë drafti është përgatitur.
“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, të hënën në mbrëmje kreu i ekzekutivit ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin siç është shprehur Kurti, ka theksuar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi.
Numri një i qeverisë mbrëmjen e së hënës ka mbledhur stafin e tij këshillues për t’u përgatitur për takimin që do të mbahet sot në Bruksel.