UBT News

​Kurti dhe Vuçiq takohen më 15 qershor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen të martën, më 15 qershor.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. Ky do të jetë takimi i parë në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rinisjen e dialogut.

“Mund të njoftoj se raundi tjetër i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet të martën e ardhshme, më 15 qershor, ku do të takohen presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti. Këto takime do të ndërmjetësohen nga kryediplomati Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Në të njëjtën konferencë, ai ka kërkuar që dy palët e përfshira në dialog të respektojnë marrëveshjet e arritura deri më tani mes dy vendeve.

Gjatë ditëve të fundit ka pasur deklarime nga Vuçiq dhe Kurti, sa i përket fazës së ardhshme të dialogut.

Kujtojmë se Kurti ka deklaruar se në Bruksel nuk do të bisedojë për Asociacionin, por do të shkojë për t’u dakorduar për takimet e ardhshme. Në anën tjetër, Vuçiq pati deklaruar se nëse Kurti nuk flet për Asociacionin, atëherë ai nuk ka pse të shkojë në Bruksel. 

Exit mobile version