Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë.
Ndër të tjerash, diskutuan për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, me ç’rast kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.
Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u bisedua edhe për integrimin e komuniteteve jo-shumicë dhe pengesat me të cilat ballafaqohen.
Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës.