Me rastin e vdekjes së ish-sekretares së Shtetit të ShBA-së, Madeleine Albright, sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bënë homazhe te busti i ish sekretares Albright në Prishtinë.
Kryeparlamentari Konjufca tha se populli i Kosovës kurrë nuk do ta harrojë dhe gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Madeleine Albright për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë.
Kryeministri Kurti theksoi se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë të Millosheviqit pa dyshim që mban vulën e zonjës Madeleine Albright, për çka tha se Kosova do të jetë falënderuese dhe mirënjohëse.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e ShBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.