UBT News

​Kurti dërgon në Kushtetuese përgjigjet në kërkesën e deputetëve të pakicës serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër përgjigje në kërkesën e parashtruar nga 11 deputetë të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në komentet e saj konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e qeverisë, dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerr sipas procedurës së paraparë më kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën.

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, po ashtu, Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar, dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në letrën e saj, Qeveria e Kosovës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerr aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshme, të konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.

Në fund, Qeveria e Kosovës konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet.

Exit mobile version