Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe gjatë ditës së sotme ka dhënë detaje të reja për takimin e së hënës me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në kryeqendrën evropiane, Bruksel.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Kurti tha se paraprakisht në tekstin e marrëveshjes kanë qenë katër paragrafë, ku është shkruar edhe për planin franko-gjerman dhe dinamizimin për marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.
Mirëpo sipas Kurtit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ndryshoi premisën për marrëveshje, duke u fokusuar vetëm tek ujdia për targa, rrjedhimisht siç tha ai, iu përshtat Serbisë.
“Pas takimit që patëm atje (Bruskel) që zgjati tetë orë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, fatkeqësisht ndryshojë premisën e negocimit të ditës së hënë. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vet ai, filloi të insistoi në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit-pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina, duke u përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e Bashkimit Evropian, por për targat”, theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti tha se liderët shtetërorë thirren për ta bërë marrëveshjen e madhe e finale, e jo për çështje teknike. Kurti tha se nuk është as polic e as zyrtar doganor, por kryeministër që shkon në Bruksel për marrëveshjen finale, me njohje reciproke në qendër.
“Më 18 gusht në takimin që kemi pasur ishin dy pika të rendit të ditës. Pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale. Edhe unë e mbështeta këtë strukturë të takimeve, sepse liderët shtetërorë thirren për të bërë marrëveshjen e madhe e finale. Po e ri-përsërisë, unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as shef kadastre e as zyrtar dogane që të merrem me gjithë farë çështjesh teknike të cilat dalin gjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione dhe organe përkatëse të cilat kanë shumë profesionist të zotë që i zhvillojnë kësi lloj bisedimesh. Unë shkoj atje për marrëveshjen finale, ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ky duhet të jetë qëllimi, dhe ky është kuptimi. Ndërkaq, autorët e propozimit të Bashkimit Evropian e braktisën propozimin e tyre, prandaj edhe takimi përfundoi”, theksoi Kurti.
Shefi i ekuativit, Kurti tha se ka bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje atë ditë, ndërsa theksoi se ishte i fundit që e lëshoi objektin e BE-së.