Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Kurse, bojkoti i zgjedhjeve, sipas tij, ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri.
Kurti ka falënderuar KQZ-në për organizimin, Policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.
“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë. Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Të dielën u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi kryetarët e këtyre komunave – të gjithë nga radhët e Listës Serbe – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.