UBT News

​Kurti: Ata që na fajësojnë për dështimin e tyre, ta shohin veten në pasqyrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ndonëse vendi ndodhet në një krizë të vështirë energjetike, po bëjnë gjithë çfarë munden e krejt çka dinë që të dalin me sa më pak humbje e dëme prej saj.

Kurti në adresimin e tij para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, foli për punën e qeverisë për nëntë muaj, për çka tha se ata që kërkojnë llogari për dështimet e tyre për dekada nga një qeveri që po shënon nëntë muaj duhet ta shohin vetëm në pasqyrë.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike po bëjmë gjithë çfarë mundemi e krejt çka dimë që të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj. Ndërkaq ata që për dështimet e tyre për dekada kërkojnë llogari nga ne që sot shënojmë 9 muaj në qeveri duhet më parë ta shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se Kosova sot është prijëse me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë, e që sipas tij kjo është falë punës së mirë të qeverisë dhe të IKShPK-së, mjekëve e infermierëve.

“Sot Kosova është prijëse me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë. Krejt kjo falë punës së mirë të qeverisë dhe menaxhimit të suksesshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, IKShPK-së dhe mjekëve, infermierëve, stafit mbështetës e vullnetarëve tanë të cilëve ju jemi falënderues e mirënjohës përjetësisht. Sot kemi gjithashtu situatë relativisht të qetë me COVID-19,e cila kur krahasohet me gjendjen në shtetet e rajonit e me shtetet tjera vije në pah kontrasti me menaxhimin e saj. Nga mesatarja javore prej 773 raste ditore sa ai kishim në mars, sot kemi një mesatare javore prej 9 raste ditore të reja në ditë dhe me 322 raste aktive nga 12 mijë e 808 sa kishim me 23 mars. Po ashtu, numri i vdekjeve është më i ulët me një mesatare javore prej 1 e nganjëherë edhe zero vdekje si rezultat i COVID-19”, tha ai.

Kurti tha se kur e gjithë bota po kalon një valë të re të COVID-19 duhet të jenë të kujdesshëm duke shtuar masat dhe kujdesin, por edhe duke u vaksinuar.

Përkundër pandemisë dhe pasojave të saj, Kurti u shpreh se ky ka qenë vit i suksesshëm për qytetarët. Ai tha se në qeveri kanë punuar pa u ndalur duke mbajtur 50 mbledhje që kanë sjellë 433 vendime, prej tyre 106 projektligje,

“Si kurrë më parë ekonomia jonë është kthyer drejt zhvillimit. Para gjashtë dite kaluam në Kuvend buxhetin 2022 në vlerë 2 miliardë e 748 milionë euro, që përbën buxhetin më të madh ndonjëherë me rritje 12 për qind krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar dhe 8.5 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij mes viti. Në tremujorin e dytë të këtij viti kemi shënuar rritje ekonomike prej 16.3 për qind. Pak minuta më parë ASK ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket rritjes ekonomike, me këto të dhëna sërish po tregohet që ekonomia vendore po performon mjaft mirë duke shënuar rritje 14.53 për qind. Vitin 2021 sipas projeksioneve të BQK-së presim ta mbyllim me rritje ekonomike 9.9 për qind, që përbën rritjen më të madhe ekonomike që pas shpalljes së pavarësisë. Eksportet kosovare deri në tetor 2021 janë në vlerë 614 milionë euro dhe janë për mbi 60 për qind më shumë sesa 2020”, tha Kurti.

Ai tha se investimet e huaja direkte në nëntë muajt e parë të këtij viti janë 388.9 milionë euro që përbën 80 për qind ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme.

Kurti u shpreh se kanë regjistruar mbi 10 mijë vende të reja të punës, ndërsa tha se kanë operacionalizuar 23 nga 26 masat apo 88 për qind të ringjalljes ekonomike nga e cila deri më tani kanë përfituar gati 445 mijë qytetarë.

I pari i Qeverisë tha se të hyrat nga ATK janë në vlerë të 552.5 milionë euro, një rritje prej 125.8 milionë euro apo 29.5 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Të hyrat nga Dogana tha se janë në vlerë 1 miliard e 238.8 milionë euro që paraqet një rritje prej rreth 32 për qind apo 300 milionë euro më shumë.

Kurti foli edhe për punën që është bërë në sistemin e drejtësisë, ku tha se është avancuar korniza ligjore për luftimin e korrupsionit duke iniciuar një sërë ligjesh sikurse ai për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe koncept dokumenti për zhvillimin e vettingut në sistemin e drejtësisë. Në luftimin e korrupsionit, tha se janë zhvilluar 509 operacione policore, 893 bastisje dhe janë goditur 42 grupe kriminale.

Në politikën e jashtme, Kurti tha se kanë filluar departizimin dhe reformimin duke krijuar sistem të meritokracisë që hap rrugën për diplomat të karrierës. Në këtë drejtim ai tha se kanë emëruar ambasadorët e ri, ku nga 3/4 e shefave të misioneve të jenë diplomat të karrierës, ndërsa vetëm 1/4 sipas çelësit politik.

Në fushën e zbatimit të rekomandimeve të BE-së, Kurti tha se kanë themeluar strukturat koordinuese ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian, derisa shtoi se vitin e ardhshëm Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE ne bëmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Në fushën e mbrojtjes Kurti tha se kanë zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, derisa përmendi që për vitin 2022 kanë ndarë 100 milionë euro buxhet për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kurti tha se në shtator ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë, i cili është ende në fuqi dhe tha se në vazhdimësi do të identifikojnë fushat e tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për ta zbatuar atë me sukses.

Kurti ka përmendur edhe vendime të tjera që janë ndërmarrë nga qeveria në fushën e arsimit, kulturës, sportit dhe bujqësisë.

Exit mobile version