Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit, por fillimisht duhet shkarkohet bordi pasi kanë vjedhur shumë, derisa tha se bordi i ri do ta ketë mision shuarjen e kësaj ndërmarrje.
Kurti në seancën e sotme plenare, ka thënë se me shkarkimin e bordit të AKP-së dhe zgjedhjen e anëtarëve të ARKEP-it, që e ka iniciuar Qeveria, i dalin zot premtimeve që ua kanë dhënë qytetarëve.
“Dhe AKP-ja kemi thënë se do të shuhet dhe AKP-ja do të shuhet, por që të shuhet APK-ja është e rëndësishme që të shkarkohet bordi sepse kanë vjedhur shumë por ne nuk i lejojmë të vjedhin më, kanë vjedhë me paga, kanë vjedh me privatizime. Janë paguar për të vjedhur, merreni me mend. Dy dekada të Kosovës së pasluftës janë dekada të tjetërsimit dhe deindustralizimit nëpërmjet privatizimit dhe kjo duhet të marrë fund“, ka thënë ai.
Sipas tij, bordi i ri i AKP-së do të ketë mision shuarjen e kësaj ndërmarrje. Përveç kësaj ai gjithashtu foli edhe për misionin e Bordit të ri të ARKEP, që sipas tij mision do të ketë interesin e republikës.
“Bordi i ri i ARKEP-it do ta ketë për mision jo shërbimin ndaj operatorëve privat të oborrit qeveritarë si në të kaluarën por interesin e republikës për diçka që nuk është vetëm treg i yni por edhe çështje e sigurisë nacionale”, tha ai.
Në seancën e sotme parlamentare do të diskutohet për gjendjen në arsim në periudhën e pandemisë.