Shefi i diplomacisë ukrainase, Dmitro Kuleba tha sot se ka biseduar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe se i ka thënë se paketa e ardhshme e sanksioneve duhet të përfshijë një embargo të naftës ndaj Rusisë.
“Unë theksova gjithashtu se nuk mund të ketë alternativë për t’i dhënë Ukrainës statusin e një kandidati për anëtarësim në BE”, shkroi Kuleba në Twitter pas bisedimeve me kreun e diplomacisë evropiane.
Nga ana tjetër, Borrell ka thënë se Këshilli i Asociimit BE-Ukrainë do të jetë një moment kyç për të avancuar edhe më tej partneritetin tonë, ndërkohë që puna po vazhdon për paketën e radhës të sanksioneve ndaj Rusisë.
Borrell e Kuleba kanë diskutuar edhe për situatën në Mariupol, për të cilën u tha se është e tmerrshme dhe se evakuimet humanitare janë urgjente.