Në pikën kufitare në Merdare kanë arritur shtatë trupat dhe dy të tjerë të cilët janë ribashkim që i takojnë masakrës së kryer nga forcat serbe në Rezallë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ekzaminojë sërish këta trupa, e më pas do të organizohet ceremonia e varrimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kanë për detyrë që para Serbisë të këmbëngulin për drejtësi dhe të dihet për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.
“E madhe është dhimbja e kësaj dite, i dhimbshëm dhe i ftohtë ky ritakim i familjarëve. Nuk ka fjalë që mund të plotësojë boshllëkun për më te dashurit e juaj. Masakra në Rezallë është dëshmi e gjenocidit në Kosovë. Sot pas 22 vjetësh na u kthyen personat që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë”, ka thënë Kurti.
“Qeveria jonë është duke ndërmarrë gjitha hapat për drejtësi për viktimat që në të ardhme të mos përsëriten kurrë këto krime”, ka shtuar ai.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se këta trupa po kthehen sërish në vendlindjen e tyre. Ai ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, që të tregojë për vendndodhjen e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Ndërsa Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, tha se masakra e prillit 1999 rikthehet sot në kujtimet e tmerrshme me varrimin e shtatë trupave dhe dy ribashkimeve.