UBT News

​Kryetari i Apelit flet për mungesën e gjyqtarëve, kritikon Këshillin Gjyqësor të Kosovës

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës rreth mungesës së gjyqtarëve. Sipas tij, gjatë vitit 2020 kanë pasur ngarkesë për shkak se disa gjyqtarë janë pensionuar e disa janë avancuar, ndërkohë numri i tyre nuk është rritur sipas kërkesës së tij.

Në një konferencë për media Shala ka treguar edhe për numrin e lëndëve të përfunduara dhe atyre në proces, duke shtuar se pavarësisht vështirësive kanë arritur të përfundojnë pjesë të madhe të tyre.

Shala tha se pa rritjen e numrit të gjyqtarëve nuk mund të ketë efikasitet.

“Këshilli Gjyqësor është neglizhent po më duket mua në këtë rast për shkak sepse nuk i ka emëruar gjyqtarët të cilët unë kam kërkuar apo politikën kuadrovike siç kam kërkuar unë, që tetë gjyqtarë të emërohen në divizionin civil, një në departament për çështje administrative dhe një për departamentin për çështje ekonomikë. Atëherë kishim me heq problemin sa i përket Gjykatës së Apelit meqë lëndët kishin me përfundua maksimum një vit e gjysmë, ai është standard në gjithë Evropën që lëndët në shkallë të dytë mos të presin më shumë se një vit e gjysmë”, tha ai.

Kërkesë e kryetarit të Gjykatës së Apelit ka qenë që në vitin 2020 të rritet numri i gjyqtarëve nga 52 në 62, por thotë se ka pasur ngecje në këtë drejtim dhe kanë vitin që shkoi kanë punuar e minus tetë gjyqtarë.

“Ngase këshilli gjyqësor gati një vit bëri që të bëjë zgjedhjen e gjyqtarëve që tani pas vitit të ri kanë filluar gjashtë gjyqtarë, tre të caktuar në departament special, dy në departament të përgjithshëm dhe një gjyqtar të divizioni për kundërvajtje. Fatkeqësia më e madhe është që në civile tani ende nuk kemi, asnjë gjyqtar, se më me rendësi ka qenë këtu të rritet numri i gjyqtarëve meqë kemi pasur lëndë, por politikën kuadrovike e udhëheqë edhe Këshilli Gjyqësor me të cilin shpesh kam edhe kundërshti me ta për shkak se nuk kanë qenë të shpejtë me veprimet e tyre kur kemi të bëjmë me zëvendësim apo emërim të gjyqtarëve të rinj”, shtoi ai.

Kryetari i Gjykatës së Apelit tregoi se vitin 2020 e kanë filluar me 19 lëndë për korrupsion, ndërsa gjatë vitit i kanë pranuar edhe 69 të tilla. Prej tyre, bëri të ditur se janë zgjedhur 68.

Në tërësi, Shala tha se i kanë zgjidhur 15 mijë e 48 lëndë nga mbi 25 mijë të tilla sa i kishin gjatë vitit 2020. Prej tyre, 14 mijë e 219 lëndë kanë qenë të reja në vitin 2020, ndërsa 11 mijë e 640 lëndë kanë qenë të vjetra prej vitit 2015.

Gjatë vitit 2020, me koronavirus janë prekur 13 gjyqtarë dhe 40 persona nga stafi mbështetës.

Exit mobile version