Pas raportimeve për shpenzimet e deputetëve për derivate, Kryesisë së Kuvendit po i kërkohet që në mbledhjen e radhës të shfuqizojë vendimin për përfitimet e parlamentarëve. Kompensimi i shpenzimeve të derivateve për të zgjedhurit e popullit po konsiderohet i paarsyeshëm, madje në shpërputhje me punën joefikase të tyre në legjislativ.
Monitoruesi i Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga KDI thotë se deputetët kompensohen katër herë për punën që e kryejnë. Sipas tij, të njëjtit, krahas pagës bazë, marrin mëditje për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare, kompensohen për derivate, për shujta ushqimore si dhe mbushje telefonike. Këtë e konsideron jonormale, derisa Kuvendi nuk përmbush agjendën legjislative dhe çalon në mbikëqyrje parlamentare.
“Qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, kurdo që e njëjta do të mbahet gjatë javës së ardhshme, të merret vendimi për të shfuqizuar vendimin e vitit 2011 që përcakton këto beneficione. Nëse veçse ka interes që të vazhdohet me subvencionim të tyre të paktën të ketë mekanizma më të rreptë të kontrollit. Ajo çka kemi parë, deputetët edhe mund të vijnë në seancë dhe të nënshkruhen, por pastaj dalin. Ata në këtë formë përveçse marrin mëditje për pjesëmarrje, ata kompensohen edhe për transportin dhe shpenzime të tjera që mund të kenë gjatë ditës”, thotë ai.
Ai e sheh joserioz edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizës Vetëvendosje se tani e tutje do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
Cakolli thotë se po të kishte pasur interes që këto mjete financiare të kthehen, nuk do të ishin marrë fare.
“Po të kishte pasur interes që të kthehen këto mjete që janë marrë nga ana e deputetëve, nuk ishin marrë në radhë të parë fare. Duke marrë parasysh performancën e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të tij dhe duke përfshirë një pjesë të madhe të deputetëve që ishin pjesë e këtyre listave të pagesave, ato janë krejtësisht të paarsyeshme. Pasi nga qindra, mijëra euro që kanë marrë deputetët për të kompensuar derivatet e tyre, nuk është përkthyer në punë në Kuvend. Shumica e pikave të rendit të ditës, qofshin më mbledhje të Kuvendit apo komisione parlamentare kanë dështuar pikërisht në mungesë të kuorumit. Zakonisht ka pasur një numër të madh të deputetëve, duke përfshirë edhe ata që ishin pjesë e këtyre listave që nuk kanë marrë fare pjesë në seanca. Kjo përbënë përveç papërgjegjësisë edhe keqpërdorim të parasë publike. Nuk është normale që dikush të paguhet aq shumë dhe mjete t’i dedikohen për të kryer një punë që është i obliguar edhe në bazë të Kushtetutës. Po të kishim mbase një performancë më të mirë të deputetëve nuk do të ishte aq problematike kjo çështje. Por kur shihet se Kuvendi çalon si në përmbushje të agjendës legjislative, nuk ka mbikëqyrje efektive parlamentare dhe gjitha të tjerat dhe krahasohen me shpenzimet që deputetët i kushtojnë buxhetit të vetit, atëherë kjo e bënë situatën të papranueshme”, deklaron ai.
Cakolli thotë se duhet adresuar masa disiplinore për të gjithë deputetët që kanë inskenuar vendbanime për të shfrytëzuar të drejtën për kompensimin e derivateve.
“Përtej përgjegjësisë së tyre morale do të duhej të kishte edhe masa disiplinore. Është e papranueshme që dikush që mëton të përfaqësojë interesin qytetar në Kuvend të bëjë apo inskenojë vendbanime. Kjo e cenon drejtpërdrejt edhe rolin e tij si përfaqësues por edhe e minon besimin e publikut në vet institucionin e Kuvendit… Subvencionimi në masë të tillë qoftë i pagës bazë, kompensimi për pjesëmarrje në seanca, kompensimi për derivate, kompensimi për shujta ditore dhe shumë të tjera e bëjnë deputetin të marrë mjaft shumë të holla që janë në shpërputhje të plotë me punën që e kryejnë në funksion të Kuvendit, si në miratim të ligjeve ashtu edhe mbikëqyrje parlamentare”, shton ai.
Sipas tij, zgjidhja ideale për çështjen e benefiteve të deputetëve është përmes ndryshimit të rregullores.
“Po të shkohej me ndryshim të rregullores dhe futje së dispozitave do të ishte ideale. Por rregullorja e Kuvendit tash e sa vite është në procedura të shqyrtimit dhe ende nuk dihet nëse është arritur dakordim i plotë për të kaluar atë. Pasi nevojiten dy të tretat”, përfundon ai për KosovaPress.
Krahas këtyre, Cakolli thotë se paga bazë e deputetit, por edhe beneficionet e tjera arrijnë dhjetëfishin e pagës mesatare në Kosovë.