Propozimin e Partisw Demokratike të Kosovës për ndryshimet ligjore që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e kursimeve pensionale në Trust, kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka proceduar sot në Qeverinë e Kosovës.
Derisa pro këtij propozimi janë edhe deputetë të AAK-së, kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti doli sot grupi parlamentar i Vetëvendosjes.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se qeveria ka afat një muaj që ta shqyrton kërkesën e kryesisë për Trustin, por ai kërkon nga ekzekutivi që këtë çështja ta trajton që në mbledhjen e parë, që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti deri 30 përqind.
“PDK dhe grupi parlamentar i saj kanë propozuar tërheqjen edhe të një sasie të caktuar nga Trusti, pikërisht për ato familje që vërtet e kanë problem që t’ia dalin me të ardhurat e tyre më i mbuluar shpenzimet mujore. Ne e kemi nis plotësim ndryshimin e këtij projektligji. Ky projektligj sot i shkon Qeverisë së Kosovës. Qeveria i ka afat një muaj më së largu që t’i kthej përgjigje Kuvendit të Kosovës. Nëse jo, ky projektligj hyn në procedurë parlamentare. Mirëpo, ne i kërkojmë Qeverisë së Kosovës, duke pasur parasysh faktin që jemi në një situatë shumë të rëndë ekonomike dhe të papërballueshme me rritjen e kostos së madhe të jetës në Kosovë, mos ta pret qeveria të bëhet një muaj, por ta trajtojë qysh në mbledhjen e parë kur do t’i shkojë nga Kryesia e Kuvendit. Nga kryesia i shkon sot, dhe ne besojmë që në këtë javë mund ta trajtojmë çështjen e tërheqjes së Trustit nga qytetarët të cilët e kanë vështirë ta kalojnë muajin me të ardhurat që kanë si rezultat i ngritjes së çmimeve të produkteve esenciale, të naftës dhe energjisë”, tha ai.
Kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, tha se si grup parlamentar nuk e mbështesin tërheqjen e mjeteve të Trustit. Deputetja theksoi se ka mënyra të tjera për t’i ndihmuar qytetarët në këtë krizë me çmimet.
“Jo nuk e ka mbështetjen tonë, edhe nuk do ta ketë për arsye se vet koncepti i Trustit dhe dizajnimi i Fondit të Kursimeve pensionale ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65-vjeçare. Ajo çka mbetet të diskutojmë bashkë me opozitën është që të diskutojmë modalitetet tjera të ndihmës. Natyrisht, ato që qeveria në vazhdimësi nuk ka hezituar që t’i prezantojë. Mos të harrojmë se kemi pasur një Pako për rimëkëmbje ekonomike nga qeveria, duke filluar nga qershori i vitit të kaluar. Natyrisht që edhe për këtë vit janë shtuar ato qoftë për rezervën shtetërore, apo për kategoritë tjera buxhetore, në veçanti për kategoritë sociale. A është e mjaftueshme, natyrisht se jo, ne jemi të vetëdijshëm se ballafaqohemi me një ekonomi e cila është shumë fraxhile ndaj rritjes së çmimeve që vijnë si rrjedhojë e importit të madh. Besoj se do të gjenden forma të tjera, nuk mund ta mohojmë krizën, kriza po ka ndikim në Kosovë dhe në rajon… Kjo formë e shpejt, ose kjo mënyrë që vazhdimisht i kthehet PDK-ja kësaj ideje, nuk tregon diçka më shumë se vetëm një koncept në të cilin hahet e ardhmja në dobi të sotmes. E kjo ka qenë edhe koncept i PDK-së për shumë vite, e tash me këto pasoja po ballafaqohemi. Prandaj, nuk dëshirojmë që pas 20 viteve, qytetarët tanë që mbushin moshën 65-vjeçare të ballafaqohen edhe me një problem tjetër që krijohet si rrjedhojë e një vendimi të pa matur sot”, theksoi ajo.
Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes së kryesisë, theksoi se gjendja ekonomike në vend mbetet e vështirë, derisa ka kërkuar nga Qeveria miratimin e ligjit për rritjen e pagës minimale në 400 euro, miratimin e Ligjit të pagave, si dhe ndryshimi i ligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Tahiri ka komentuar edhe punën njëvjeçare të qeverisë Kurti.
“Gjendja ekonomike në vend nuk mbahet mend që ka qenë më e vështirë dhe më keq, kjo vjen edhe për shkak të konfliktit global, por edhe për mosveprimin e qeverisë. Kërkesa jona është shumë e thjeshtë, ngriteni pagën minimale në 400 euro me një vendi, lëreni tryezat. Dy, sjelli ligjin për pagat, dhe pastaj merrni vendime të tjera të tipit të Trustit, të cilin ne e kemi mbështetur. Vlerësimi jonë për një vit qeverisjeje, është fjalë të bukura, zhurmë si me tupanë, punë ‘kërkah’ hiq. Për fjalë kush nuk ua kalon, për punë faleminderit”, tha ai.
Në anën tjetër përfaqësues të GP të LDK-së nuk janë deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.