Kryesia e Kuvendit të Kosovës as në mbledhjen e së hënës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje. Megjithatë, vendosi për vazhdim të dy seancave me pika të papërfunduara, mes tyre edhe debati parlamentar për grevat e përgjithshme në Kosovë. Kjo situatë u kritikua nga opozita, të cilët thanë se mazhoranca është në gjendje “kome”.
Pas mbledhjes së kryesisë, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se në seancën e së enjtes do të trajtohen edhe disa projektligje, mes tyre edhe Projektligji për Qeverinë.
“U vendos që të enjten të kemi dy vazhdime të seancave të Kuvendit të Kosovës. Njëra me pikat e papërfunduara të seancave të Kuvendit, njëra me pikat e papërfunduara të seancës së 15 shtatorit. Ndërsa një vazhdim tjetër me pikat e papërfunduara të sesionit pranveror të seancës së fundit, që janë votime të projektligjeve të ndryshme, siç është Projektligji për Qeverinë, Projektligji për noterinë dhe zgjedhja e disa anëtarëve të bordeve”, tha ai.
Për shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, seanca e së enjtes s’ka si mos të ndodhte ndryshe veçse të niste me vazhdimin e debatit për grevat.
Ai tha se është e papranueshme kryeneçësia e kryeministrit Albin Kurti për mos zgjidhjen e situatës me greva.
“S’ka si të ndodhte ndryshe veçse të vazhdojmë seancën të enjten me debatin për grevat e përgjithshme në Kosovë. Po hymë në javën e katërt që mësimi në Kosovë nuk po mbahet, pra janë rreth 320 mijë nxënës që nuk e vijojnë mësimin dhe rreth 30 mijë mësimdhënës që nuk po vazhdojnë punën e tyre. Kjo është e papranueshme dhe është e papranueshme kryeneçësia e kryeministrit Kurti, i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë që është krijuar në arsimin e Kosovës”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët, Tahiri foli edhe për paralajmërimet për një “kornizë të re për dialogun”, derisa nënvizoi se marrëveshja finale duhet të ketë njohjen reciproke dhe ulësen e Kosovës në OKB.
“Për neve si PDK është e rëndësishme që marrëveshja e re në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ketë në qendër njohjen reciproke. Për neve si Kosovë marrëveshja finale patjetër duhet të rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ulësja jonë aty është e rëndësishme dhe duhet të dalë si rezultat i kësaj marrëveshje”, shtoi ai.
Lidhur me këtë foli edhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili tha se deri më tani në Kuvend s’ka pasur diskutime për dialogun.
Madje tha se Qeveria ka qenë mjaft transparente në lidhje me këtë temë.
“Në Kuvend të Kosovës nuk ka pasur ndonjë diskutim në lidhje me dialogun, por ne vazhdojmë të qëndrojmë në atë që kemi thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme, me njohjen reciproke në qendër… Transparenca ka qenë jashtëzakonisht e madhe në takime të vazhdueshme, madje kryeministri ka takuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare në lidhjen me dialogun. Ka diskutime në Kuvend sa herë ka kërkesë nga deputetët, në pyetjet parlamentare, interpelanca, debat. Qeveria ka qenë e gatshme për të diskutuar dhe përgjigjur”, tha ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së, foli edhe për përmendjen e sërishme të luftës nga kryeministri Kurti.
Sipas tij, i njëjti po bën deklarata të tilla për të zhvendosur vëmendjen prej problemeve të brendshme.
“Është e pabesueshme në çfarë gjendje mendore është duke operuar kryeministri jonë. Në Kosovë ju e dini që kemi prezencën e NATO-s, fuqive më të mëdha që garantojnë edhe sovranitetin tonë si shtet. Nuk shoh arsye tjetër që kryeministri të bëjë deklarata të tilla, pos të zhvendosë vëmendjen prej problemeve jashtëzakonisht të mëdha që qeveria e tij po tregohet e paaftë me i trajtuar”, tha ai.