Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron sot në kryeqytetin e Serbisë në Beograd për të marrë pjesë në samitin “Ballkani i hapur”, ku pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme.
Në këtë samit marrin pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Marrëveshja që pritet të nënshkruhet parashikon ngritjen e një mekanizmi që garanton sigurimin ushqimor, mbajtjen e tregjeve të hapura, pa ndërprerje e pa përcaktuar asnjë tavan, siç ka ndodhur në muajt e kaluar.
Kjo është marrëveshje e tregtisë së lirë e pacenuar nga efektet e luftës në Ukrainë të cilat kanë krijuar një ndërprerje të zinxhirit ushqimor në të gjitha vendet e Evropës apo të botës.