Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl. Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
Duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë, Kryeministri Kurti ka theksuar se Norvegjia është partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
Kurti ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me ambasadën norvegjeze në Kosovë, që me projektet e nismat e përbashkëta vazhdon të kontribuojë pozitivisht për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së popullit tonë.
Në këtë takim u theksua se prezenca e ambasadës norvegjeze në Kosovë është e rëndësishme për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer dhe thellimin e zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Grøndahl biseduan për përkrahjen e mëtejme të Norvegjisë për Republikën e Kosovës.