Kryeministri japonez, Fumio Kishida tha se një raketë e dyshuar balistike ndërkontinentale (ICBM), e lëshuar nga Koreja e Veriut sot në mëngjes, ka të ngjarë të jetë rrëzuar në zonën ekskluzive ekonomike të vendit të tij.
Sipas Ministrisë japoneze të Mbrojtjes, raketa u lëshua drejt lindjes rreth orës 10:14 nga afër bregut perëndimor të gadishullit Korean.
Kishida i quajti provokimet e Phenianit “të papranueshme”.
Kryeministri tha gjithashtu se fillimisht nuk kishte raportime për dëmtime të anijeve ose avionëve të shkaktuar nga raketa, përcjell ATSh.
Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut (JCS) më parë thanë se analizat fillestare treguan se predha e lëshuar nga Koreja e Veriut ishte një ICBM.