Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA ka takuar në Uashington DC Ryan Tully, Drejtor i Lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Amanda B. Ahlers, Drejtoreshë për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve. Në këtë takim është diskutuar për dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë si dhe për përgatitjet e takimit të dy shtatorit që do të mbahet në Ëashington DC, me ç’rast ministrja Haradinaj-Stublla e ka vlerësuar më se të nevojshëm angazhimin e SHBA-ve në këtë proces. “Rikonfirmuam domosdoshmërinë që dialogut tani i duhet lidershipi amerikan që të dinamizojë dhe qartësojë epilogun përfundimtar të arritjes së njohjes reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ministrja Haradinaj-Stublla duke shtuar se SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë do mbesin përherë adresa jonë e sigurt dhe garancia e qëndrueshmërisë së Kosovës së 17 shkurtit. |