UBT News

​Kryebashkiaku i Mariupolit paralajmëron “katastrofë humanitare” pas bombardimeve intensive ruse

Kryetari i qytetit të rrethuar të Mariupolit në Ukrainën jugore, Vadym Boichenko, thotë se ushtria ruse po krijon një katastrofë humanitare në qytet.

CNN citon Boichenko ku përmes llogarisë së tij në Telegram ka treguar gjendjen e rëndë humanitare në qytetin e rrethuar nga ushtria ruse.

“Ata po bllokojnë furnizimin dhe riparimin e energjisë elektrike, ujin dhe ngrohjen. Ata gjithashtu kanë dëmtuar hekurudhat. Ata kanë shkatërruar ura dhe kanë shkatërruar trenat në mënyrë që ne të mos mund të evakuojmë gratë, fëmijët dhe të moshuarit nga Mariupol”, ka deklaruar Boichenko.

Gjithashtu ai ka thënë se Rusia është duke e bllokuar edhe furnizimin me ushqime.

“Rusia po ndalon furnizimet ushqimore, duke na bllokuar si në ish-Leningrad gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shkatërruar qëllimisht infrastrukturën kyçe të mbështetjes për jetën e qytetit për shtatë ditë”, tha kryebashkiaku, i cili shtoi se qyteti nuk ka rrymë, ujë apo edhe ngrohje.

“Ne po punojmë me institucionet ndërkombëtare për të krijuar një “korridor të gjelbër” për misionet humanitare. Ne po punojmë për të siguruar një armëpushim për të rikuperuar rrjetet e energjisë elektrike”, tha Boichenko.

Exit mobile version