Kroacia mbështet dialogun Kosovë-Serbi nën administrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Shteti kroat i ka ofruar 10 mijë doza të vaksinave anti-COVID për popullin e Kosovës. Kështu bëri të ditur diplomati kroat, Gordan Grlić Radman, pas takimit që pati me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ai deklaroi se janë kundër shkëmbimit të territoreve, duke theksuar se do të punojnë që ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.
“Me kënaqësi të madhe e kam njoftuar ministren Gërvalla për ndarjen e 10 mijë dozave të vaksinave për Republikën e Kosovës. Republika e Kroacisë e ka marrë vendimin për ngritjen e kontingjentit ushtarak të KFOR-it. Kroacia e përkrahë dialogun Kosovë-Serbi në dialogun bilateral, nën administrimin e ShBA-ve, për një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Kroacia gjithashtu është kundër shkëmbimit të territoreve dhe do të punojmë që ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Kosova është shtet i pavarur dhe për vendet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, nëse dojnë qetësi në botë, atëherë duhet të pranohet pavarësia. Për këtë edhe Serbia duhet të marr vendimin e duhur dhe shpresoj që në të ardhmen do të lehtësojnë marrëdhëniet dhe do të sigurohet siguria në Evropën Juglindore”, tha ai.
Gërvalla ka falënderuar homologun e saj kroat për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës. Ministrja tregoi se në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë është biseduar edhe për prioritetet e Kosovës në politikën e jashtme.
“Falënderova homologun kroat për gjithë mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës. Biseduam për prioritetet e Republikës të Kosovës në politikën e jashtme, dhe për rrugën tonë drejt institucioneve euroatlantike. Jemi të interesuar që të thellojmë bashkëpunimin në këtë drejtim por edhe për bashkëpunimin ekonomik. Biseduam edhe për liberalizimin e vizave, ku Kroacia mbështet Kosovën në këtë aspekt. Kolegu kroat më ftoi që të jem pjesë e forumit të Dubrovnikut, të cilën e pranova me shumë kënaqësi”, tha ajo.
Në konferencën për media Gërvalla ka mohuar të ketë qenë ndonjëherë dëshmitare ose në ndonjë formë tjetër në Gjykatën Speciale në Hagë.