Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të zhvillojë diskutime mbi krizën në Ukrainë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, javën e ardhshme, sipas Departamentit të Shtetit.
“Rusët e kanë pranuar ofertën e Blinken për bisedime në Evropë dhe kanë propozuar data për fundin e javës së ardhshme, të cilat qeveria amerikane i pranoi me kusht që të mos ketë një pushtim të mëtejshëm rus të Ukrainës”, njoftoi dje në mbrëmje zëdhënësi Ned Price, raporton atsh.
Sipas tij, nëse rusët pushtojnë Ukrainën në ditët në vijim, do të bëhet e qartë se kurrë nuk kanë qenë seriozë lidhur me diplomacinë.
Perëndimi është i shqetësuar se vendosja masive e trupave ruse në zonën kufitare me Ukrainën mund të jetë në përgatitje për luftë. Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha për të tretën ditë radhazi se po tërhiqte trupat pas përfundimit të manovrave në rajon, megjithëse Uashingtoni dhe NATO kanë hedhur dyshime se ushtarët po kthehen në kazermat e tyre.
“Ushtarët dhe pajisjet ushtarake janë zhvendosur nga kufiri në rajonin e Nizhni Novgorodit, rreth 400 kilometra në lindje të Moskës”, tha sot kjo ministri.