Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi sot se masakra në Mejë, ndër më të mëdhatë të kryera në Kosovë, shpërfaq barbarinë e një regjimi, qëllimi i vetëm i të cilit ishte spastrimi etnik i shqiptarëve. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se gjurmët e këtyre krimeve nuk mund të fshihen asnjëherë.
“Sot kujtojmë 376 civilë të paarmatosur, të masakruar mizorisht nga forcat serbe në Mejë të Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999. Fatkeqësisht, tani 23 vjet pas, disa prej tyre ende janë të pagjetur. Zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës, do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend”, ka shkruar Krasniqi.