Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se në shumë familje kosovare, liria ende nuk ka ardhur. Teksa ka përmendur të pagjeturit, ai shtoi se nuk është bërë mjaftueshëm.
Krasniqi bashkë me deputetë të tjerë ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.
“Si çdo 27 prill, sa herë që vijmë këtu në Mejë, në lëndinën e dhembjes por edhe në lëndinën e krenarisë, nuk ka se si të mos kujtojmë atë rrugëtim të rëndë dhe të vështirë të popullit tonë që dha dhe sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot. Si në çdo ditë tjetër, por ne mënyre të veçantë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve tanë por të kombit tonë në përgjithësi, nuk ka se si mos mendojmë që nuk është bërë mjaftueshëm. Sa prej familjeve kosovare, liria realisht nuk ka ardhur. Pa u gjetur dhe pa u zbardhur fati i të zhdukurit të fundit, nuk mund të ketë drejtësi”, ka thënë Krasniqi.