Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi kërkon nga Qeveria e Kosovës rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin e tre policëve kosovarë të rrëmbyer 5 ditë më parë brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe.
Mbi të gjitha, deputeti Krasniqi kërkoi nga kryeministri Kurti që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët ndërkombëtarë – si mënyra më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre.
Krasniqi ka shkruar në Facebook se derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër kryeministri dhe Qeveria po e mbajnë në errësirë gjendjen e tyre.
“Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta. Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë më aktive për rikthimin e sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemë Mustafës.
“Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës. Mbi të gjitha, kërkoj nga Kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre”, shkruan Krasniqi.