UBT News

​Krasniqi: Kërkojmë nga Qeveria angazhim maksimal për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet e sigurisë angazhim maksimal për mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor në veri të vendit. Ai ka takuar kandidatet e PDK-së për kryetarë të komunave në veri të vendit për zgjedhjet e 23 prillit, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Në këtë takim diskutuam për përgatitjet në lidhje me këtë proces që do të mbahet të dielën, më 23 prill, dhe për gatishmërinë e kandidatëve të PDK-së për të marrë përgjegjësi udhëheqëse dhe për të qeverisur për të gjithë qytetarët, pa dallim, përkundër sfidave për shkak të tensioneve në këtë pjesë të vendit. Ata janë të vendosur që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim të paepur dhe për këtë e kanë mbështetjen e plotë timen dhe të PDK-së”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në veri të Mitrovicës, PDK garon me Taulant Kelmendin, në Leposaviq me Albulena Behluli-Hetemi, me Izmir Zefirin në Zubin Potok dhe me Ilir Pecin në Zveçan.

“Ndonëse procesi i votimit do të organizohet kryesisht nëpër qendra alternative të votimit, ne ftojmë të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për një të ardhme më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Po ashtu, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse të sigurisë, angazhim maksimal për mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor”, ka shkruar ai.

Exit mobile version