Selatin Krasniqi është dëshmitari i 12-të i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë dhe sot para trupit gjykues ka folur për objektet e familjes së tij në fshatin Zllash dhe një spital të improvizuar aty. Dëshmitari ka thënë se në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s ai ndodhej në shtëpinë e tij në fshat dhe se lajmin për sulme e kishte marrë nga Isa Kastrati. Ai ka folur për datën 20 prill të vitit 1999 ku sipas tij kishte shumë të plagosur, të cilëve bëhej përpjekje t’u ofrohej ndihmë në një spital provizor në Zllash.
Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.
“Atë natë isha në shtëpinë time në Zllash. Kam qenë unë, kanë qenë edhe disa të tjerë. Kisha dalë diku në nëntor të ’98-ës në Zllash. Në ’98-ën në korrik, mes korrikut dhe fillimit të shatorit UÇK kërkoi nga prindërit e mijë, xhaxhallarët të ua lirojmë shtëpinë, personi që u liruam shtëpinë ishte Rrahman Dini me pseudonimin Bali. Më pas unë si i ri kam bajt nga pak armatim, dhe policia serbe e mori vesh në nëntor 98-ës, më arrestoi por pas dy tre orë baba intervenoi dhe më liruan dhe dola ika në Zllash”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se më 26 ose 27 mars kishte shkuar në Prishtinë ku kishte qëndruar deri më datën 30 të muajit apo 1 prill 1999.
“Më 26 ose 27 mars kemi shkuar në Prishtinë, unë pasi kam qenë i asaj ane e kam ditë pak terenin, i kam dërguar disa grupe deri në fshatin Butovc, disa i kam lënë në Mramor, dhe kam hy vet në Prishtinë, me disa persona. Deri më 30 ose me të parin kemi qëndru, nuk jam i sakë me datë. Qëndruam në Prishtinë afër Medresesë, një mëngjes ka ardhur një shok i imi nga Kodra e Trimave më ka thirr më ka thënë ‘forcat serbe hynë në Kodër të Trimave hajde’, jemi dalë në Vranjec e kam takuar Shpendin dhe më ka sugjeruar që me urdhër të Rrahman Dinit, komandant Calit, Fatmir Humollit, është që ne mos me bë diçka, mos me gjuajt në serbë, me qetësu popullatën dhe me ju ndihmu”, ka thënë Krasniqi.
Nga Prishtina, Kraniqi ka thënë se kishte arritur në Zllash mëngjesin e 1 prillit. Atë ditë ai ka thënë se aty ka parë qindra persona, në mesin e tyre gra e fëmijë të dëbuar nga Prishtina.
Shtëpia në Zllash, Krasniqi ka thënë se ishte në pronësi të axhës së tij prej vitit 1920. Ai ka thënë se shtëpitë kanë qenë të Adem Krasniqit por me fletëposeduese në pronësi të Kadri Krasniqit, të cilët ishin vëllezër.
Në Zllash ai ka thënë se ishin rreth gjashtë dhoma të gatshme për fjetje. Dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin strehuar në lagjen Cubaj deri më 17 prill kur sipas tij kishte filluar ofensiva.
“Pas tre katër ditë kam ardhur prapë në Prishtinë, pasi ka kaluar familja në atë shtëpinë ku e ceka më herët, kam ardhur në Prishtinë, kam marrë gjëra ushqimore për familjen dhe jam kthyer prapë në Zllash, më datën 3 ose 4 prill”, ka thënë ai.
Derisa është marrë në pyetje nga avokati i mbrojtjes, Julius Von Bone, dëshmitari është përgjigjur rreth shtëpive të familjes së tij në Zllash.
Ndërsa lidhur me dhomën që përdorej si ‘odë’, Krasniqi ka thënë se nga 20 prilli ishte shndërruar qendër spitali për të plagosurit nga Vitia e Marecit, Mramorit dhe Prapashticës.
“Kena fjetur aty, jo vetëm unë, Rrahman Dini ka qëndruar në odë aty, kanë qenë shtretërit, tani më 20 prill është bërë si qendër spitali mundem me thënë, kur i kemi sjell të plagosurit nga Vitia e Marecit, dy dhoma i ka pasur”, ka thënë ai.
Aty, ai ka thënë se ndihmonin infermierë, ndër të cilët ai përmendi Teutën dhe Ibadetin.
“Avnia ka qenë i plagosur, Avni Haziri dhe Avni Gashi, Sokol Sopi, Afrim Vitia. Më datë 20 prill 1999 gjatë granatimeve në Viti, disa ushtarë kanë vdekur e disa janë plagosur, por jo vetëm prej Vitisë së Marecit por kanë sjellë edhe prej Mramorit, prej Prapashticës, prej pjesëve të tjera. Kur kemi arrit në ora 12 të natës aty ka qenë tmerr, në këto dy dhomat, kërkonin ndihmë, nuk kishin mundësi mjekët dhe infermierët aty me iu dhënë sepse nuk kishte pajisje të mjaftueshme”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se nuk është në dijeni se kush e kishte marrë vendimin për të shfrytëzuar objektin si qendër spitali meqë nga data 17 deri më datën 20 prill ndodhej në viti të Marecit.
“Prej datës 17 nuk kam qenë aty, kam qenë në Viti të Marecit, dhe diku është dashur t’i lëmë ata të plagosur, nuk kemi mundur t’i lëmë jashtë. Ka pasur edhe në objektin tjetër qind për qind”, ka shtuar Krasniqi.
Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Sipas Dhomave të Specializuara, “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.