Pas tensioneve në veri të vendit, ka reaguar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai ka thënë se institucionet qendrore e kanë obligim t’ua mundësojnë kryetarëve të zgjedhur përmbushjen e obligimeve.
Krasniqi ka thënë se ministria që ai drejton ofron mbështetjen e plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve në veri. Ai ka thënë se kryetarët e zgjedhur duhet ta kryejnë punën nga zyret e komunave.
“Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve. Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë”, ka shkruar Krasniqi.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale. Para objekteve komunale në veri të vendit janë mbledhur qytetarë, ndërsa janë dëgjuar edhe sirena alarmi. Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë. Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.
Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, por ceremonia është zhvilluar në ndërtesa të tjerë publike.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.