Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme ka miratuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shtyrjen e afatit për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në veri të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve është shtyrë deri më 25 nëntor. Rrjedhimisht ai tha se afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga data 26 nëntor deri në 28 nëntor 2022.
“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor, është shtyrë deri më 25 të këtij muaji të këtij viti. Rrjedhimisht është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga data 26 nëntor deri në 28 nëntor 2022”, tha Elezi.
Gjithashtu në këtë mbledhje, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërime të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së, ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor.
Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike, i cili ka filluar më datë 15 nëntor, Elezi theksoi se deri më tash, KQZ ka pranuar dy aplikime për certifikim.
“Bëhet fjalë për subjektin politik, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet të jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e kandidatëve për kryetar në katër komuna, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Derisa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare “Mitrovica’, ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, theksoi ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 18 dhjetor për kryetar komune në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.