Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Dragashit, sipas së cilave kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini do ta drejtojë këtë komunë për katër vitet e ardhshme.
Sipas këtyre rezultateve, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini me 6 mijë e 192 vota apo 51.16% ka fituar me 280 vota më shumë se kandidati i PDK-së, Shaban Shabani me 5 mijë e 912 vota apo 48.84%.
Vendimi i KQZ-së vjen pas përsëritjes së votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar nga kjo komunë dhe numërimit të fletëvotimeve.
Palët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri nesër në orën 11:00.