UBT News

​KQZ pret shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna për t’i filluar përgatitjet për organizmin e tyre

Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si vazhdimësi e veprimeve të Listës Serbe e cila po kundërshton vendimin e qeverisë së Kosovës për regjistrimin e targave. Kjo i hap rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna meqë sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimin e presidentes së vendit lidhur me zgjedhjet e mundshme në katër komunat në veri të Kosovës ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se përgatitjet e këtij institucioni për zgjedhje bëhen pasi ato të shpallen nga presidentja.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga ana e presidentees e Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre. Sikurse në të kaluarën një nga hapat e parë që ndërmerr KQZ është miratimi i planit operacional ku listohen të gjitha aktivitetet që duhet të kryhen nga ana e KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, thotë ai.

Meqë këto do të ishin zgjedhje të jashtëzakonshme, Elezi thotë se KQZ aktualisht nuk ka buxhet për organizmin e tyre.

“Sa i përket çështjes së buxhetit, këto janë zgjedhje të paplanifikuara çka do të thotë KQZ nuk ka buxhet aktualisht për organizimin e tyre por sikurse edhe në të kaluarën, në raste të tilla kur kemi zgjedhje të planifikuara KQZ-ja përgatit një shkresë pra një kërkesë buxhetore të cilën e përcjellë në për Qeverinë e Kosovës ku parashihen mjetet e nevojshme të cilat duhet t’i ketë KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, shton ai.

Përmes një vendimi, Gjykata Kushtetuese vite më parë kishte qartësuar se dorëheqja e kryetarëve të komunave është përfundimtare dhe i jep fund mandatit të kryetarit që dorëheqjet.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serb do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Këto veprime kanë ardhur pasi qeveria e Kosovës filloi të zbatojë planin e saj në tri faza për regjistrimin e veturave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version