UBT News

​KQZ nuk hedh short të ri për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të organizojë tërheqje të re të shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarë të katër komunave dhe për dy kuvendet komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në këto zgjedhje do të vlejë renditja e subjekteve politike, e dalë nga tërheqja e shortit më 7 dhjetor të vitit 2022. Kjo pasi siç tha ai, nuk ka pasur aplikime të reja për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri të vendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të organizojë tërheqje të re të shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarë të katër komunave dhe për dy kuvendet komunale. Arsyeja qëndron në faktin se gjatë procesit të ri për aplikim të subjekteve politike dhe kandidatëve, nuk ka pasur ndonjë të tillë. Kjo do të thotë se në proces zgjedhor janë subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar vitin e kaluar dhe do të vlejë shorti i tërhequr më 7 dhjetor”, tha Elezi.

KQZ-ja është duke vazhduar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore. E në kuadër të kësaj, Elezi tha se është edhe funksionalizimi i Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Në kuadër të këtyre përgatitjeve është edhe funksionalizimi i Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në secilën nga këto komuna dhe në këtë drejtim jemi në kontakt me institucionet relevante, të cilat kanë rolin e tyre në aspekte të ndryshme gjatë procesit zgjedhor. Funksionalizimi i Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve do të bëhet për të ofruar shërbimet për qytetarët dhe subjektet politike, ashtu siç kërkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale. Të gjitha informacionet e nevojshme do t’i bëjmë publike me kohë”, tha Elezi.

Ndryshe, sipas shortit të tërhequr më 7 dhjetor 2022, subjektet politike kanë këtë renditje: Iniciativa Qytetare Mitrovica me numrin 111, Partia Demokratike e Kosovës 112, Partija Kosovskih Srbska 113, Sladjana Pantovic (kandidate e pavarur) 114 dhe Lëvizja Vetëvendosje me numrin 115. 

Exit mobile version