Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet në ora 18:00 për të diskutuar situatën e sotme (e martë) ku zyrtarët e tyre kanë shkuar në veri për të funksionalizuar zyrat e tyre atje por kjo nuk është arritur.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, u shpreh se janë duke pritur raportet e këtyre zyrtarëve për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, tha Elezi.
Për shkak të tentative të zyrtarëve të KQZ-së për të shkuar në zyrat në veri të vendit janë dëgjuar shpërthime, që thuhet se janë organizuar nga strukturat paralele serbe.