UBT News

​KQZ kërkon që personat me dokumente të UNMIK-ut mos të jenë në listë të votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kërkon nga Agjencioni për Regjistrim Civil që personat me dokumente të UNMIK-ut të largohen nga lista e votuesve, meqë dokumente të tilla nuk janë të vlefshme që prej vitit 2013.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se persona të tillë duhet të largohen përkohësisht nga lista meqë shkaktojnë keqpërdorime të mundshme, derisa të njëjtit të pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës.

Këtij vendimi të KQZ-së i parapriu rekomandimi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, i cili kërkoi nga KQZ që personat me dokumente të UNMIK-it të largohen nga lista preliminare e votuesve.

“Siç e dini dokumentet e UNMIK-ut tashmë nuk janë të vlefshme që nga viti 2013 nuk kanë validitet dhe megjithatë ndodhen në listën e votuesve dhe siç tha edhe Alimi kontribuojnë në pasaktësinë e listës së votuesve dhe në keqpërdorime eventuale, dhe plotësisht me të drejtë këshilli për operacione zgjedhore rekomandon KQZ-në që të kërkojë nga agjencioni për regjistrim civil që këta persona ndoshta jo të largohen plotësisht nga lista, sepse ne nuk mund t’i largojmë, por të pezullohen dhe neve mos të na vjen ekstrakti me emra të tyre, pastaj çka bën agjencioni është çështje tjetër”, tha Daka.

Sipas saj, agjencioni duhet të pezullojë përkohësisht këta persona meqë të njëjtit pastaj mund të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u miratua edhe rekomandimi i Këshillit për Operacione zgjedhore që 11 mijë persona tashmë të vdekur, të largohen nga lista e votuesve.

“KQZ e ka trajtuar listën e personave të vdekur gatë vitit të kaluar ku ka pasur një konstatim që ato ndodhen diku 23 mijë persona, por ndërkohë brenda vitit të kaluar i ka konfirmuar vetëm 11 mijë e diçka prej tyre, tani rekomandojmë që ata që janë të konfirmuar të largohen nga lista e votimit”, tha Alim Rama.

Ndërsa për personat që jetojnë jashtë Kosovës, Rama tha se duhet të u mundësohet aplikimi online.

“Fatkeqësisht Këshilli për Operacione Zgjedhore nuk ka qenë në mënyrë unanime që me shku edhe një hap më tutje, që të bëjë këtë aplikim online, sepse aplikimi për votues jashtë Kosovës momentalisht bëhet vetëm duke plotësuar formularë në mënyrë manuale, një hap më tutje kish qenë që ky formular me qenë edhe në aplikacionin online që e ka një KQZ, por fatkeqësisht ajo nuk ka kaluar në Këshillin për Operacione Zgjedhore, por në KOZ kanë kaluar disa modifikime të thjeshta të formularit që sadopak ia thjeshtësojnë qytetarit me plotësu këtë formular”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga dje ka filluar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.

Exit mobile version