Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka bërë të ditur se deri më tash në këtë institucion janë dorëzuar dy njoftime për koalicione parazgjedhore nga radhët e komuniteteve.
“Deri më tani janë paraqitur dy njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit nga radhët e komuniteteve: Koalicioni VAKAT, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Boshnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe Koalicioni ZAJEDNO, i përbërë nga partitë politike Pokret za Gora (PG) dhe Gragjanska Inicijativa Gore (GIG)”, ka thënë për KosovaPress zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ndryshe, afati për paraqitjen e koalicioneve të subjekteve politike në KQZ për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit është deri sot në ora 18:00.
Deri më tash subjektet më të mëdha politike nuk kanë shprehur gatishmërinë për koalicione, ndonëse është përfolur për një koalicion të LDK-së me AKR-në, si dhe të PDK-së me Nismën.