UBT News

​KQZ: 43.5 përqind e qytetarëve ushtruan të drejtën për të votuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga mbi 95 përqind e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar gjatë ditës së sotme është rreth 43 përqind apo 770 mijë e 171 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues, e rreth 52 mijë e 313 votues më pak sesa në vitin 2017.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve, teksa theksoi se anëtarët e këshillave të vendvotimeve duhet t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet.

“Ka përfunduar procesi i votimit në Republikën e Kosovës. Tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur… Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga mbi 95 përqind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar gjatë ditës së sotme është rreth 43 përqind apo 770 mijë e 171 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishin votuar 822 mijë e 484 votues apo 43.50 përqind e votuesve”, tha ai.

Ai shprehu mirënjohje për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që morën pjesë në votime, mediat që raportuan dhe institucionet si Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga ora 19 ka filluar afati 24 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me ecurinë procesit e votimit të sotëm.

Exit mobile version