Është arrestuar të martën drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) me dyshimin e marrjes së ryshfetit në vlerë prej 8 mijë euro me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor.
Pas arrestimit, KPM ka ftuar institucionet që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinionin publik por edhe brenda këtij institucioni.
“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sot është njoftuar jozyrtarisht se një zyrtar publik i Zyrës Ekzekutive të KPM-së është ndaluar mbrëmë nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, nën dyshimin për veprën penale – marrje ryshfeti. Duke qenë të shqetësuar me këtë lajm, ftojmë institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinioni publik, por edhe ne brenda KPM-së. KPM shprehë gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në përfundim të rastit”, thuhet në komunikatën për media nga KPM.