Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit për Energjinë, Artur Lorowski, gjatë një diskutimi me Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës ka thënë se është duke bashkëpunuar me qeverinë aktuale për hartimin e energjisë për vitin 2022-2030, derisa shtoi se janë duke punuar edhe për projektin e gazit, i cili sipas drejtorit të komunitetit për energjinë, importi nga Rusia tashmë është ndaluar dhe se duhet të rishikohen politikat e këtij projekti.
“Siç e dini, funksionimi i duhur i tregut të energjisë elektrike dhe gazit është në qendër të interesave të Komunitetit të Energjisë. Prandaj po mbaj shënime nga komentet e pakta për bashkëpunimin në këtë drejtim me vendet fqinje. Sekretariati i Komitetit të Energjisë është duke i shqyrtuar rastet të cilat ju i keni trajtuar, dhe pas analizës së këtyre rasteve, ne jemi të gatshëm për të marrë në konsideratë veprime të mëtejshme në këtë drejtim, në mënyrë që të sigurohemi që tregu i energjisë elektrike në mënyrë specifike të mund të funksionojë në nivel rajonal në mënyrën e duhur” tha Lorowski.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se Kosova është duke u përballur me ndërhyrjet e Serbisë të cilat po i bën në veri të Kosovës duke keqpërdorur energjinë në atë pjesë.
“Sfidat që jo lehtë po i kalojmë pikërisht për shkak të specifikave gjeografike dhe pikërisht për shkak të specifikave të disa shteteve përreth siç është rasti i Serbisë ku kemi definitivisht një ndërhyrje të pazakontë në tërë sistemin energjetik të vendit duke e bllokuar dhe sabotuar në shumë linja procesin e mbarëvajtjes dhe furnizimit por edhe shkëmbimit ndërshtetërorë me vendet ndërkombëtare”, deklaroi Shala.
Anëtari i këtij komision nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka ngritur shqetësimin që Serbia po e keqpërdor rrymën në veriun e Kosovës. Ai shtoi se për projektin e gazit kanë diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, por që sipas tij, qeveria e ka neglizhuar këtë projekt.
“Kemi shumë pengesa nga fqinji ynë Serbia, duke filluar nga veriu i Kosovës, integrimi i asaj pjese të energjisë dhe mbikëqyrja… Qeveria e ka neglizhuar sa i përket procesit të gazit kemi pasur një buxhet nga MCC-ja, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës… edhe ajo mbështetje e dhënë prej 200 milionë që u dha, edhe ajo është e mirëseardhur por nëse ne ndahemi nga komiteti apo interesi i rregullave të Bashkimit Evropian të komitetit për energjinë ku do të shkojmë”, tha Lekaj.
Por kësaj deklarate iu është kundërpërgjigjur deputeti Driton Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje i cili ka thënë se qeveria nuk e ka neglizhuar idenë për projektin e gazit.
“Nga ideja e gazit, por ta themi kështu, mundësisë që gazin ta kemi si një nga opsionet e energjisë dhe diverifikimit si potencial të ardhshëm, mirëpo në situata aktuale kur çmimi i gazit ka shkuar jashtëzakonisht shumë lartë por edhe duke pasur parasysh që në Kosovë nuk kemi infrastrukturë të gazit, nuk kemi kapacitete për mundësinë që ta kemi gazin këtu, Qeveria e Kosovës bashkë me MCC-në, e kanë negociuar atë fond i cili ka qenë i planifikuar por i menduar fillimisht për sjelljen e gazit në Kosovë drejt një investimi tjetër i cili është në energjinë, i cili akumulohet në bateri të cilat do t’ua mundësojnë akumulimin e energjisë e cila prodhohet në Kosovë sidomos në ato periudha kohore kur ne prodhojmë energji që në njëfarë forme e tejkalon nevojën e konsumit të brendshëm, dhe në vend që ta eksportojmë si energji ne kemi mundësi ta akumulojmë dhe të tillën energji ta shfrytëzojmë në periudha të caktuara sidomos gjatë ditës me qellim që t’i mbulojmë nevojat e tregut dhe të kemi një furnizim të qëndrueshëm dhe stabil të qytetarëve tanë dhe afaristëve, kjo është marrëveshja që është bërë me MCC-në… Edhe njëherë po e potencoj Qeveria e Kosovës nuk i ka mbyllur rrugën gazit, është e hapur dhe unë mendoj që një çështje të tillë do të jetë pjesë e strategjisë së energjisë e cila së shpejti do të publikohet për diskutim publik por së shpejti edhe e miratuar besoj”, tha Hyseni.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, objektivi i parë i programit Kompakt me MCC është ruajtja e energjisë që do të mbështetë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme më të pastër të energjisë.