Qeveria e Kosovës ka zgjeruar pakon e masave sanksionuese ekonomike-financiare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, pas pushtimit të Ukrainës. Këto sanksione u bënë të ditura sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Përmes këtyre sanksioneve kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria e Kosovës po rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja përfshirë edhe pakon e katërt të sanksioneve të BE-së.
Po në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës janë ndarë edhe 100 mijë euro për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës.
“Në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me BE dhe SHBA-në dhe partnerët tjerë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka propozuar vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomik dhe financiare të përcaktuara nga BE ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Përmes këtij vendimi, qeveria jonë do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja përfshirë edhe pakon e katërt të sanksioneve të BE-së. Kjo pako konsiston me masa restriktive tregtare, ekonomike, financiare, energjetike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe aktiviteteve shtesë”, tha Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u shpreh se pakoja e katërt e sanksioneve ekonomike-financiare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë përfshinë ngrirje të aseteve bankare, institucionet financiare dhe individë, ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propaganduese, materiale të ndryshme që mund të përdoren në makinerinë e luftës etj.
“MPJD propozim për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Pothuajse të gjitha sanksionet deri më tani janë miratuar në koordinim intensive dhe të plotë në mes të SHBA-së, BE-së dhe partnerëve të tjerë në përpjekje për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese ruse në Ukrainë. Sanksionet e zgjeruara përfshijnë gjithashtu ngrirje të aseteve bankare, institucionet financiare dhe individë ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propaganduese, materiale të ndryshme që mund të përdoren në makinerinë e luftës, restriksionet e Bjellorusisë për largimin e mundësisë së importeve të mallrave teknologjike si kundërpërgjigje e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elita dhe akterë politik të përfshirë në invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, theksoi Gërvalla.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës.
Ministrja Gërvalla në arsyetimin e këtij vendimi u shpreh se kjo po bëhet për t’i dal në mbështetje popullit ukrainas.
“Bazuar në qëndrimin e Kosovës për harmonizimin e qëndrimeve me aleatët SHBA-në dhe BE-në lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë në përgjigje të thirrjes publike të Ukrainës për ndihma humanitare përmes përfaqësive të saj diplomatike dhe me qëllim të shprehjes së solidaritetit për popullin ukrainas viktimë e agresionit rus, MPJD propozim për shqyrtim dhe miratim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 100 mijë eurosh në emër të dërgimit të kontingjentit të ndihmave nga Kosova për popullin e Ukrainës. Kosova edhe përmes kësaj ndihme solide ofron mbështetje dhe shpreh solidaritetin e saj të pakursyer me Ukrainën dhe popullin e saj si dhe seriozitetin e saj si pjesë e botës më të mirë dhe demokratike”, tha Gërvalla.
Sot kabineti qeveritar po ashtu ka miratuar edhe propozim-vendimin për nevojën e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme nga Kosova për 20 gazetarë ukrainas dhe familjarët e ngushtë të tyre.
Arsyetimin për këtë vendim e dha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se votimi i sotëm këtij vendimi i jep karakter institucional.
“Propozoj para jush propozim-vendimin për nevojën e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme nga Kosova për 20 gazetarë ukrainas dhe për familjarët e ngushtë të tyre. Ky propozim është njëherësh edhe një përpjekje që ta ofrojë ndihmën duke respektuar parimet e të drejtës ndërkombëtare për kategorinë e personave në rrezik… Ky vendim i hap rrugë gazetarëve për një vend ku do të qëndrojnë sigurt përkohësisht, të gëzojnë të drejta themelore sipas legjislacionit tonë, përkrahjen institucionale dhe ushtrimin e profesionit të tyre. Kjo përpjekje është detyrim moral i vendit tonë dhe parim njerëz që kërkohet t’i jepet karakter institucional”, tha ai.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditor, përmes të cili synohet krijimi i bazës ligjore për garanci kreditore përveç në nivel të kredive dhe nivel të portofolios kreditore me qëllim të zhvillim të ndërmarrësisë.
Po ashtu është shqyrtuar edhe propozim-vendimi për aprovimin e Deklaratës së Prioriteteve Afatmesme 2023-2025 si pjesë e kornizës afatmesme të Shpenzimeve 2023-2025.
Ndërsa, në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovë e cila shënon edhe fillimin e vitit të dytë të qeverisjes Kurti, u shqyrtua edhe projekt-udhëzimi administrativ për ndryshim-plotësimin e udhëzimit administrativ për masat e veçanta për regjistrimit të pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të bashkëshortëve.