UBT News

​Kosova për herë të parë flet në Këshillin e Evropës, përfaqësohet nga e mbijetuara e luftës

Për herë të parë Republika e Kosovës ka folur në Asamblenë e Këshillit të Kosovës, e përfaqësuar nga e mbijetuara e luftës, Saranda Bogujevci. Nënkryetarja e Kuvendit ka folur për luftën në Ukrainë ku ka theksuar mbështetjen e Kosovës përballë agresionit rus. Aty Bogujevci ka thënë se Kosova nuk ka të ardhme tjetër përveç bashkimit me familjen e madhe evropiane.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka theksuar rëndësinë e vendimeve në këtë periudhë për çka ka thënë se të njëjtat ndikojnë në të ardhmen e brezave të rinj.

“Tani më shumë se kurrë ne duhet të jemi të vendosur dhe të guximshëm, dhe të marrim vendime që do të kenë një ndikim pozitiv në të ardhmen e rajonit tonë, por edhe të gjithë Evropës. Tani, duke qenë se kjo është hera ime e parë që ju drejtohem, dëshiroj t’u them kolegëve të mi ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës, se mendimet, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam një e mbijetuar e masakrës gjatë luftës në Kosovë, dhe ne do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë dhe në këtë përpjekje, dhe shpresojmë që kjo luftë e tmerrshme të marrë fund së shpejti dhe drejtësia të triumfojë”, ka thënë ajo.

Saranda Bogujevci ka thënë se Kosova është një prej demokracive më kumbuese në rajon dhe evropianët i ka ftuar ta shohin prej afër shtetin i cili synon të anëtarësohet në Këshill.

“Ka kaq shumë për të thënë, dhe sot unë mund të flas për shumë gjëra, arritjet e Kosovës, si një nga demokracitë më kumbuese në rajon. Nëse nuk më besoni, gjithmonë mund të vini në vizitë dhe të shihni vetë. Vështirësitë tona me të cilat po përballemi, vështirësitë me fqinjin tonë, apo e shkuara jo aq e largët që kemi pasur. Por sot përballemi me shqetësime shumë më të gjera se rajoni ynë. Sot jemi përballë një lufte brutale. Sot po luftojmë për demokraci e kështu me radhë. Pra, sot nuk po flasim vetëm për Ballkanin Perëndimor, por sot po flasim për të ardhmen e Evropës. Ne si Kosovë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor jemi Evropë, dhe nuk mund të ketë të ardhme tjetër për ne, përveç të qenit pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”, ka thënë Bogujevci.

Exit mobile version