Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për ndarjen e 100 mijë eurove për të ndihmuar qytetarët e Ukrainës.
Të hollat i shpërndahen shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, e cila do të merret organizimin/blerjen e produkteve “Made in Kosova”, të cilat më pas përmes transportit rrugor do të nisen për në Ukrainë.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova është shtet që e kupton luftën për liri dhe drejtësi, dhe kupton secilin qytetarë që detyrohet të braktisë shtëpinë e tij për shkak të agresorit.
“Republika e Kosovës nëpërmjet kësaj ndihme simbolike shpreh solidaritetin dhe përkrahjen për popullin e Ukrainës”, ka thënë Gërvalla.
Me inicimin e MPJD-së, qeveria ka pezulluar vizat për qytetarët e Ukrainës, ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, dhe gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Rusisë.